Secondary Adv

Izraeli dhe Hamasi nënshkruajnë fazën e parë të planit të paqes në Gaza

Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të planit të paqes në Rripin e Gazës, ndërsa IDF pritet të tërhiqet nga shumica e territorit brenda 24 orëve të ardhshme.

Izraeli dhe Hamasi firmosin fazën e parë të planit të paqes

Një zhvillim historik në Lindjen e Mesme është konfirmuar pas nënshkrimit të fazës së parë të Planit të Paqes mes Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuar nga Donald Trump. Marrëveshja parashikon lirimin e pengjeve izraelite dhe tërheqjen e trupave izraelite nga pjesa më e madhe e Rripit të Gazës, duke mbetur vetëm në Rafah, brenda 24 orëve të ardhshme.

 

Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump deklaroi:

“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar Fazën e parë të Planit tonë të Paqes. Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord, si hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme. (...) Të bekuar qofshin paqebërësit!”

 

Trump falënderoi ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, duke e cilësuar marrëveshjen si “një ngjarje historike dhe të pashembullt” për rajonin dhe botën.

 

Shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve

Sipas Hamasit, në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite do të lirohen 2 mijë të burgosur palestinezë, të cilët mbahen në burgjet izraelite. Shkëmbimi pritet të kryhet brenda 72 orëve nga zbatimi i marrëveshjes.

 

Në rrugët e Gazës, palestinezët kanë dalë për të festuar marrëveshjen, ndërsa familjarët e pengjeve izraelite kanë shprehur falënderime për Donald Trump, duke e vlerësuar ndërhyrjen e tij si vendimtare për zgjidhjen e krizës.

 

Telefonata me Netanyahun dhe hapat e ardhshëm

 

Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se “të gjithë pengjet mund të dorëzohen të hënën”. Ai zhvilloi një telefonatë me kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili e ftoi atë të vizitojë Knessetin.

 

Vizita e ish-presidentit amerikan në Izrael pritet të ndodhë javën e ardhshme, ndërsa qeveria izraelite do të mblidhet sot për të miratuar marrëveshjen. Nëse ajo miratohet, armëpushimi do të hyjë menjëherë në fuqi, duke hapur rrugën për një periudhë stabiliteti të përkohshëm në rajon.

 

Megjithatë, ende mungon një marrëveshje për çarmatimin e Hamasit, çështje që do të jetë pjesë e negociatave të mëtejshme mes palëve. /Shqiptarja.com


Më të lexuarat